Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar liderin rus Vladimir Putin që të vizitojë Shtetet e Bashkuara në vjeshtë.

Lajmi u konfirmua nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë që thanë se diskutimet për vizitën kanë nisur, megjithëse ende nuk ka nga Moska një konfirmim të këtij raundi të dytë.

Dy liderët zhvilluan një samit në Finlandë të martën, por shumë pak detaje, për të mos thënë asgjë, janë marrë vesh nga diskutimet e tyre. Në fakt, lajmërimi për një takim të dytë vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë i ka kaluar ditët pas samitit duke u përpjekur të eleminojë pasojat politike të performancës së Trump. Vetë ky i fundit u detyrua që të korrigjojë disa nga komentet e konferencës për shtyp në ditët pas takimit, të cilin vazhdon ta konsiderojë një sukses të madh.

Kritikët e Trump thonë se nuk duhet të ketë një takim të dytë me Putinin, pa u marrë vesh publikisht se çfarë u diskutua në të parin. Refuzimi i Trump për të lejuar marrjen në pyetje të amerikanëve nga Rusia duket se nuk i ka qetësuar ata aspak. Sidoqoftë, edhe takimi i dytë mund të sjellë surpriza, pasi pikërisht i tillë ishte edhe për drejtorin e inteligjencës amerikane, Dan Coats, i cili e mori vesh këtë nga mediat.

Njeriu që duhet të dijë gjithçka qeshi dhe tha se kjo do të jetë diçka speciale.

Top Channel