Britania propozon prodhimin e qeseve të degradueshme

20/07/2018 12:56

Një kompani britanike pretendon të fillojë prodhimin e të ashtuquajturave qese “Oxo-biodegradable”, të cilat shpërbëhen në mjedis njësoj si gjethet, madje edhe më shpejt, duke mos lënë mbrapa asgjë.

Kjo lloj teknologjie po përdoret gjerësisht në mbarë Afrikën dhe Lindjen e Mesme, por nëse qese të tilla janë kaq të mira, pyet BBC, atëherë përse përballen me rrezikun e bllokimit nga Bashkimi Europian?

Qeset e bio-degradueshme janë konsideruar prej kohësh si zgjidhja ideale ndaj plastikës së patretshme në ambientin që na rrethon. Thuhet që ky variant i promovuar nga britanikët është më i avancuar sa i takon shpërbërjes, sepse i është shtuar një element i ri në prodhim. Por studiues të universitetit të Plymouthit e testuan.

Ata tregojnë një qese që ka qëndruar në det për dy vjet dhe është ende mjaftueshëm e fortë sa për të mbajtur ushqime. Shkencëtarët thonë se edhe atëherë kur shpërbëhet vërtetë, kjo lloj qeseje krijon pjesëza plastike e për rrjedhoje, sipas tyre, nuk mund të cilësohet me plot gojën si një zgjidhje e padiskutueshme mjedisore.

Top Channel