George Clooney di si të bëjë histori në botën e “showbiz”-it dhe të mbetet sërish në krye. 57-vjeçari është renditur nga revista “Forbes” si aktori me fitimet më të mëdha brenda një viti.

Për periudhën qershor 2017-qershor 2018, aktori Clooney ka fituar plot 239 milionë dollarë, jo vetëm nga puna e tij si aktor, por edhe nga kompania e tij e tekilës, në të cilën është bashkëthemelues.

Gjithsesi, në listën e prestigjozes amerikane ai renditet në vend të dytë, pas boksierit Floyd Mayweather me 285 milionë dollarë fitime përgjatë një viti. Vetëm nga ndeshja e gushtit të shkuar kundër Conor McGregor, pasuria e tij u shtua me më shumë se 200 milionë dollarë. “Forbes” ka publikuar listën me 100 personazhet me më shumë fitime të këtij viti, ku në 10 më të pasurit, pas Mayweather dhe Clooney renditet 20-vjeçarja Kylie Jenner, e cila ka shtuar pasurinë e saj brenda vitit me 166.5 milionë dollarë.

Më tej lista vijon me U2, Coldplay dhe Ed Sheeran, të cilët kanë siguruar miliona dollar nga albumet dhe koncertet. Ndër 10 më pasuruarit e 12 muajve të fundit janë edhe yjet e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, që i kanë shtuar fitimet e tyre me 111 dhe 108 milionë dollarë.

Lista e 100 personazheve më të paguar të botës së “showbiz”-it hartohet nga “Forbes” pas një skanimi të pasurisë së tyre në periudhën 1 qershor 2017 deri më 1 qershor 2018. Nga 100 personazhe VIP, vetëm 15 janë femra.

Për këta yje, kjo është një epokë e artë, pasi të gjithë bashkë kanë arritur fitime 6.3 miliardë dollarë, një rritje me 22% nga një vit më parë. Pas Clooney, aktori tjetër në 10 më të pasurit është Dwayne Johnson, me fitime 124 milionë dollarë, duke mbetur një nga më të kërkuarit e Hollivudit, kryesisht për filmat aksion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA