Ende pa mbyllur një vit kalendarik, Peter Pacult është larguar nga drejtimi i skuadrës së Kukësit.
Barazimi 0-0 në Shkodër, në ndeshjen e parë ndaj Vallettës, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Champions League, ka pasur një ndikim thelbësor në këtë vendim.
Edhe pse në fillim të merkatos verore ishte konfirmuar, objektivi i drejtuesve të skuadrës verilindore ka qenë padyshim kalimi i të paktën një raundi në kupat e Europës, gjë që është kompromentuar deri në njëfarë pike, pas ndeshjes së parë ndaj maltezëve në “Loro Boriçi”.
Gjithsesi, më tepër sesa rezultati ka qenë dhe një lojë jo shumë bindëse, që me sa duket ka bindur presindentin Safet Gjici të marrë vendimin për ndërprerjen e marrdhënies me Peter Pacult.
Pasardhësi i trajnerit austriak do të jetë trajneri shkodran, Armando Cungu, ai që ishte pjesë e historisë që bëri Kukësi në kupat e Europës rreth 5 vite më parë.
Ndeshja e kthimit mes Vallettës dhe Kukësit do të luhet më 17 korrik në kryeqytetin maltez.
Top Channel