Roman Abramoviç do të bëjë sforcimin e fundit për të kënaqur Antonio Conten, duke pranuar të paguajë 9 milionë paund trajnerin italian, të shkarkuar këtë të enjte.
Manjati rus, aksioneri në mazhorancë i Chelseat, i dha fund marrëveshjes me teknikun që risolli titullin kampion në “Stamford Bridge”, por rezervoi përplasje serioze me drejtuesit dhe konflikte publike.
Një vendim i paralajmëruar në harkun e sezonit, për shkak të mosmarrëveshjeve për merkaton dhe dështimit në objektivat e klubit, Chelsea zyrtarizoi shkarkimin e Antonio Contes dhe pritet të prezantojë Sarrin si zëvendësues.
Sipas medieve italiane, ajo që afroi largimin e teknikut nga pankina e “bluve” ishte një takim mes presidentit të Chelseat dhe atij të Napolit.
Ky i fundit, që paguan ende Maurizio Sarrin, pavarësisht shkarkimit, ra dakord me manjatin rus që të lirojë italianin nga detyrimet kontraktuale. Chelsea kishte gjithashtu frikë se, lojtari më i vlefshëm i ekipit, Eden Hazard nuk do të rinovonte nëse Conte mbetej në pankinë.
Kështu, trajneri i ri do të jetë Sarri. Ai do të përgatisë ekipin në kampin në Australi javën e ardhshme, që të jetë gati për nisjen e Premier League në muajin gusht.
Top Channel