Nënshkrimi i Cristiano Ronaldos me Juventusin ka zemëruar punëtorët e Fiat-it, sponsorit kryesor të bardhezinjve, për operacionin e kushtueshëm për marrjen e yllit portugez në Torino.
Disa ish-punëtorë, të cilët janë pushuar nga puna kohët e fundit, kanë vendosur në portat e fabrikës parrulla si: “Për Cristianon 400 milionë; për punëtorët, një shkelm b… “.
Përveç kësaj, në përgjigje të blerjes së Cristianos, Unioni i Punëtorëve ka lëshuar një deklaratë ku bën thirrje për një grevë të dielën, për të denoncuar situatën në të cilën punëtorët ndodhen, ndërkohë që familja Agnelli bën investime të tilla.
“Është e papranueshme që punëtorët e Fiat të bëjnë sakrifica të mëdha financiare, ndërsa kompania shpenzon miliona euro për një futbollist. Ata u thonë familjeve të shtrëngojnë rripat sepse situata nuk është e mirë dhe pastaj ata investojnë një shumë marramendëse për një lojtar. A është e drejtë? A është normale që një person të fitojë miliona, ndërsa mijëra familje punëtore nuk arrijnë të mbijetojnë? Ne jemi të gjithë punonjës dhe ky ndryshim në trajtim nuk mund të vazhdojë. Punëtorët Fiat kanë pasuruar tre breza dhe si shpërblim kanë marrë vetëm mjerim”, lexohet në deklaratë.
Unioni bën thirrje për më shumë investime në prodhim dhe në rritjen e kompanisë sesa në futboll: “Shoqëria duhet të investojë në modelet e makinave që garantojnë të ardhmen e mijëra njerëzve, në vend që të pasurojnë vetëm një njeri”.
Top Channel