Tifozët e Barcelonës kanë nisur të ëndërrojnë për Eden Hazard, që me sa duket do të jetë një prej protagonistëve të merkatos së kësaj vere.
Sipas të përditshmes “Sport”, që është shumë pranë klubit katalanas, ylli belg i Chelseat është i përzgjedhuri nga Eric Abidal dhe drejtuesit e tjerë të Barcelonës, për t’u blerë në merkaton e kësaj vere.
Hazard nuk do të jetë sezonin e ardhshëm në Champions League me Chelsean, që nuk u klasifikua mes 4 më të mirave të Premier League, e kjo përbën një faktor kyç për largimin e tij nga “Blutë” e Londrës.
Sipas “Sport”, Barcelona kërkon të përfitojë nga kjo situatë për të siguruar shërbimet e Hazard, që do të ishte një nga blerjet e bujshme të merkatos së kësaj vere.
Për më tepër, nëse realizohet ky transferim, Hazard do të bashkohet me Messin, Suarezin dhe Coutinhon, për të formuar një repart sulmues vërtet të frikshëm.
Ndërkohë, Barcelona e ka bërë blerjen e saj të parë. Bëhet fjalë për brazilianin Arthur, për të cilin Barcelona i pagoi klubit të Gremios 31 milionë euro dhe bonuse të tjera, ndërkohë që futbollisti do të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2024.
Top Channel