Ndonëse e gjithë vëmendja e futbolldashësve, këtë të mërkurë ka qenë e fokusuar te gjysmëfinalja e Kupës së Botës, mes Francës e Belgjikës, me “gjelat” që prenë biletën për në finale pas fitores 1-0 të dhuruar nga mbrojtësi Umtiti, mbrëmjen e sotme janë zhvilluar edhe ndeshjet e vajtjes së raundit të parë kualifikues të Champions League.

Shkëndija e Tetovës, e cila u impenjua në “Arena Philip II” të Shkupit kundër rivalëve nga Uellsi, The New Saints, e ka pasur shumë të lehtë triumfin, e kësisoj ka hedhur një hap të sigurtë drejt kalimit të turin e dytë kualifikues.

Shqiptarët tetovarë shënuan plot 5 herë në portën e kampionëve nga ishulli britanik, TNS, ku spikat “pokeri” i Ibrahimit, pas zhbllokimit të rezultatit nga ana e fantazistit Emini në minutën e 14.

Golat e sulmuesit të vetëm në formacionin kuqezi u shënuan në minutën e 38 të pjesës së parë, si dhe në të 53-tën, 60-n dhe 66-n gjatë pjesës së dytë të ndeshjes.

Pas një jave do të luhet ndeshja e kthimit në Uells, ndërsa me kualifikimin tashmë të “hipotekuar”, tetovarët do të duhet të presin fituesin mes çiftit Torpedo Kutaisi (Gjeorgji)- Sheriff Tiraspol (Moldavi). Takimi i parë mes këtyre dy skuadrave përfundoi me fitoren e gjeorgjianëve 2-1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA