Transferimi i shekullit në futbollin botëror po merr formë këtë javë. Juventusi do të jetë skuadra e re e futbollistit portugez, Cristiano Ronaldo, fituesi në fuqi i “Topit të Artë” dhe një kandidat për ta rifituar çmimin prestigjioz.

Kjo e martë ishte dita vendimtare për të sheshuar edhe detajet e fundit të tratativës së bujshme, që do të çojë kapitenin e kombëtares portugeze në Torino për 105 milionë euro.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez dha lejen për të dërguar kërkesën e transferimit për lojtarin më të vlefshëm të ekipit, që kishte arritur më parë akordin me Juventusin për 30 milionë euro, për 4 vitet e ardhshme.

Udhëtimi i presidentit të Juventusit në Kallamata, aty ku Ronaldo ndodhet me pushime prej ditësh, ishte vendimtar për ecurinë e negociatave, që bindën edhe agjentin e futbollistit Jorge Mendes. Ky i fundit, që ndodhet pranë lojtarit në resortin grek të Costa Navarinos, do të marrë rreth 25 milionë euro komision.

“Ka ardhur koha të hap një kapitull të ri në jetë dhe për këtë kërkova transferimin. Iu lutem tifozëve të më kuptojnë, pasi kanë qenë të mrekullueshëm këto 9 vite. Reali ka zemrën time dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë. Kam reflektuar shumë, por tani koha është për një cikël të ri”, deklaron ylli portugez.

Kështu, ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej ditësh. I shtyrë nga pakënaqësitë me drejtuesit dhe oferta e majme financiare, Ronaldo vendos të provojë një aventurë të re në Itali. Më kot u tentua në orët e fundit një telefonatë mes trajnerit Lopetegui dhe lojtarit portugez, që ritheksoi dëshirën për t’u larguar nga Reali, madje pa asnjë ceremoni lamtumire.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA