Pesë serbë të Kosovës u arrestuan prej policisë nën dyshimin se u kanë bërë presion pjesëtarëve të po këtij komuniteti në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që ta braktisin këtë Forcë.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i dënoi ashpër kërcënimet që po u bëhen sipas tij të afërmve të pjesëtarëve serbë të FSK-së.
“Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cënim të sigurisë dhe rendit. Përpjekjet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, shkroi Veseli në Facebook.
Por zyrtarë në Beograd reaguan ashpër ndaj episodit duke paralajmëruar se nëse personat në fjalë nuk lirohen, Serbia nuk do ta vazhdojë procesin e dialogut me Kosovën.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u shpreh se pesë të ndaluarit janë të pafajshëm dhe duhen lënë të lirë sipas tij deri në mbrëmje.
Faji i tyre i vetëm, deklaroi Gjuriç, është se e kanë shprehur publikisht kundërshtinë ndaj krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Javën që shkoi një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në FSK kërkuan që të lirohen nga detyra për shkak të trysnisë së Beogradit ndaj tyre.
Top Channel