Kryqëzimi në media, i ati i sugjeron Özilit të lërë kombëtaren

09/07/2018 16:58

Eliminimi në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë ka lënë një shenjë të thellë te Gjermania.

Çdo ditë, në media flitet për motivet e kësaj disfate të rëndë, ndërkohë që nuk kanë munguar as akuzat në drejtim të disa lojtarëve, siç është rasti i Mesut Özil, i cili vazhdon të kritikohet për fotot e tij me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Së fundmi u publikua një deklaratë e drejtorit teknik të Gjermanisë, Oliver Bierhoff, sipas së cilës Özil nuk duhej grumbulluar. Një deklaratë të cilën Bierhoff e përgënjeshtroi me forcë ta ketë thënë.

E gjithë kjo situatë nuk i ka pëlqyer aspak babait të Mesut Özil, Mustafait, i cili në një intervistë të dhënë për “Bild” e ka sulmuar ashpër Bierhoffin për atë çfarë është publikuar, pavarësisht mohimit të tij, duke i sugjeruar të birit tërheqjen nga kombëtarja gjermane.

“Po të isha në vendin e djalit tim do ta lija kombëtaren gjermane, – ka thënë Mustafa Özil. – Në Federatë nuk e administruan mirë krizën. Deklarata se do të ishte më mirë që Mesuti të mos grumbullohej është një shaka e hidhur. Gjithnjë është thënë se kur fitohet, fitojnë të gjithë; ndërsa tani që humbëm, ndodhi për faj të Özil. Po e përdorin si dash për kurban”.

Mesut Özil, i cili në tetor do të festojë 30-vjetorin e lindjes, ka luajtur 92 ndeshje me kombëtaren gjermane, me të cilën debutoi në vitin 2009 duke shënuar 23 gola, dy nga të cilët në Botërorin e vitit 2010 kundër Ganës dhe Algjerisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA