Në Milano zbarkon CR7? “Fake news” nxjerr blof gazetarët

08/07/2018 10:23

Një “fake news” ka bërë çorap gazetarët sportivë në Itali, të cilët vërshuan “lumë” në Aeroportin Linate të Milanos, ku prisnin të zbriste Cristiano Ronaldo. Ajo që panë në të vërtetë nuk ishte asgjë e tillë, thjesht një futbollist i Milanit si Fabio Borini.

Thashethemi lindi pasditen e së premtes, kur u tha se në aeroportin e dytë të Milanos për nga rëndësia do të mbërrinte një lojtar shumë i rëndësishëm nga Ibiza, në bordin e një avioni privat.

E duke qenë në mesin e një tratative të rëndësishme si ajo mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos, kujtdo i shkoi në mendje se do të ishte pikërisht portugezi, ai që do të shkelte tokën italiane. Epoka e internetit, rrjeteve sociale dhe telefonave “të zgjuar” bën që secili të garojë me kohën, kush e kush ta nxjerrë më shpejt lajmin, i pari!

Gazetarë e operatorë të shumtë “pushtuan” Linaten, aty ku në orën 18:30 zbriti fluturimi i shumëpritur. Në fakt, në bordin e tij gjendej një futbollist, por jo ai që prisnin të gjithë, por Fabio Borini i Milanit.

Në fakt, e gjitha kjo mund të shmangej, nëse do të kërkoje diçka më shumë në internet e të mësoje se Cristiano Ronaldo po i kalon pushimet në Greqi, pas eliminimit të Portugalisë nga Botërori i Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA