“Wimbledon”, të tjera surpriza në turneun e tenisit

06/07/2018 10:01

Turneu i Wimbledonit regjistron të tjera surpriza. Finalisti i vitit të kaluar, Marin Çiliç i dha lamtumirën këtij turneu të rëndësishëm, pasi u eliminua në raundin e dytë nga Guido Pella, në një ndeshje që u ndërpre për shkak të reshjeve të shiut.

Në atë moment ishte Çiliç që kishte frerët e lojës në duar, pasi kryesonte 2-0 me sete 6-3 dhe 6-1. Por, me rikthimin në fushën e lojës, Pella ndryshoi krejtësisht lojën dhe përmbysi rezultatin, duke fituar 3 setet e tjerë për ta mbyllyr sfidën 3-2.

Rafael Nadal u kualifikua me shumë lehtësi për në raundin e tretë të Wimbledonit. Tenisti spanjoll mundi tenistin nga Kazakistani, Kukushkin, me rezultatin 3-0. Nadal nuk e vuri në diskutim në asnjë moment fitoren, duke i mbyllur setet me rezultatin 6-4, 6-3 dhe 6-4.

Për femra, një tjetër emër i rëndësishëm lë turneun londinez. Bëhet fjalë për Garbine Muguruza, që ishte një prej pretendenteve për fitoren finale. Tenistja spanjolle u dorëzua përballë numrit 47 të botës, Alison Van Uytvanck. Muruguza fitoi setin e parë 7-5, por belgia diti t’i kundërpërgjigjej duke fituar dy të tjerët, 6-2 dhe 6-1.

Nuk gaboi numri 1 i botës, Simona Halep. Tenistja rumune preu biletën për në raundin e tretë të Wimbledonit, pasi mposhti kinezen Zheng me rezultatin 2-0, në 1 orë e 16 minuta lojë. Seti i parë ishte i ekuilibruar dhe Halep e fitoi atë 7-5. Në setin e dytë, përballja nuk pati histori. Halep dominoi këtë fraksion të lojës dhe e fitoi pastër 6-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA