Disa vite më herët, pasi kishte marrë drejtimin e Greqisë me synimin për t’i dhënë fund krizës së borxhit, kryeministri Alexis Tsipras kishte bërë një premtim të çuditshëm.
Ai tha se pasi të arrinte këtë qëllim, do të fillonte të vishte kollare, një aksesor që nuk është se e preferon dhe përdor as në takimet zyrtare.
Ministrat e financave të Eurozonës i ofruan Greqisë një shtyrje 10-vjeçare dhe zgjatje të afatit për një pjesë të madhe të kredive të kaluara, si dhe 15 miliardë euro në kredi të re, për të siguruar që Athina të mund të qëndrojë në këmbët e veta pasi të dalë nga ndihma e BE-së në gusht.
Këtë lajm Tsipras e priti me humor e qetësi, ndërsa në takimin me aleatët politikë të tij në Athinë, mbajti premtimin e dhënë dhe vendosi një kollare.
“Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë, por para së gjithash u takon atyre që për tetë vjet u goditën keq nga kriza, për ata që panë një jetë të tërë të shkatërruar dhe ata që mbanin barrën për vendin”, tha Tsipras.
Kriza përfshiu Greqinë në vitin 2010, ndërsa që atëherë ekonomia në vend u tkurr me 1/4-tën, papunësia u rrit ndjeshëm dhe pagat e pensionet u ulën me rreth 40 %, ndërsa u kërkuan 3 kredi të mëdha për të shpëtuar.
Top Channel