Sot shorti/ Kundërshtarët e mundshëm të Kukësit dhe Shkëndijës në Champions

19/06/2018 00:39

Këtë të martë Kukësi dhe Shkëndija do të mësojnë fatin e tyre nga goglat për rrugëtimin në Uefa Champions League. Verilindorët, që marrin pjesë për herë të dytë në këtë kompeticion, kanë favorin që janë kokë grupi dhe gjatë shorteut mund të peshkojnë ndonjë kundërshtar të thjeshtë.

Emrat më të vështirë që Kukësi mund të gjejë përballë janë sllovakët e Spartak Trnavas ose malazezët e Sutsjeskës, ndërkohë që nuk përjashtohet dhe një sfidë me maltezët e Valetës, armenët e Aleshkert, letonezët e Spartak Jurmalas dhe estonezët e Flora Talin, me të cilët janë ndeshur në Europa League në përballjen e tyre të parë historike në Europë, provë të cilën e kaluan me sukses.

Shkëndija ndërkohë, që fitoi për herë të dytë titullin kampion në Maqedoni, duhet të shpresojë në një short të favorshëm, pasi mund të përballet me Apoel Nikozian, Qarabag ku luan Ansi Agolli, por dhe Sheriff Tiraspolin, ndërsa emrat më të përshtatshëm mund të jenë hungarezët e Videoton apo uellsianët e The New Saints. Shorti i raundit të dytë të Uefa Champions League do të hidhet këtë të martën në orën 12:00 në Nyon të Zvicrës.

Kundërshtarët e mundshëm të Kukësit: 
Spartak Trnava (SVK)
Valletta (MLT)
Alashkert (ARM)
Sutjeska (MNE)
Spartaks Jūrmala (LVA)
Flora Tallinn (EST)

Kundërshtarët e mundshëm të Shkëndijës:
APOEL (CYP)
Qarabağ (AZE)
Sheriff (MDA)
The New Saints (WAL)
Videoton (HUN)

Top Channel