Ministri i ri i Brendshëm në qeverinë spanjolle ka premtuar se do të bëjë gjithçka që mundet për të hequr rrethimet me tela me gjemba, anti emigrantë, që ndajnë Marokun nga territoret spanjolle të Ceutas dhe Melilla-s.
Enklavat në bregun mesdhetar të Marokut janë bërë magnet për emigrantët afrikanë që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë. Lëndimet janë të zakonshme kur personat tentojnë të ngjiten mbi gardhin gjashtë metra të lartë që në pjesën më të madhe është i mbuluar me tela me gjemba.
Fernando Grande-Marlaska, një gjykatës që u bë ministër i Brendshëm i Spanjës më herët këtë muaj, ka hartuar një raport mbi mënyrat më të mundshme të ruajtjes së sigurisë së kufirit.
“Unë do të bëj gjithçka që mundem për ti parë rrethimet me tela me gjemba në Ceuta dhe Melilla të hiqen” tha ai për mediat spanjolle. “Ky është një nga prioritetet e mia. Objektivi sipas tij është që emigrantët të sprapsen para se të arrijnë perimetrin.
“Ne mund të veprojmë përpara, në pikën e origjinës, por nuk mund ti lemë gjërat të shkojnë deri në atë pikë. Nuk është e arsyeshme dhe as e pranueshme të shohim njerëz që kërcejnë mbi gardh. Sipas kryqit të kuq spanjoll, 25 emigrantë janë trajtuar për plagë të marra nga telat me gjemba që nga fillimi i vitit”. tha ministri i Brendshëm spanjoll.
Top Channel