Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të një vizite zyrtare në Austri gjatë së enjtes, është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake, politike dhe ekonomike të Austrisë për Kosovën, në të gjitha fazat, sidomos gjatë viteve të fundit në aspektin e zgjerimit të njohjes ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit europian.
Veseli kërkoi mbështetjen e nevojshme të Austrisë për liberalizimin e vizave.
“Kemi nevojë për përkrahjen e Austrisë në rrugën tonë drejt integrimit europian. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë meritojnë të lëvizin lirshëm në Europë. Ne presim që në fund të këtij viti, qytetarët tanë të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen”, tha kryeparlamentari Veseli.
Veseli e njoftoi kryeparlamentarin austriak edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, hapat që po ndërmarrin institucionet në fushën e zhvillimit ekonomik dhe angazhimet në kuadër të procesit të integrimit europian e të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, vizitën në Vjenë të kryetarit Veseli dhe delegacionit shoqërues e konsideroi një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe parlamenteve respektive.
Ai vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në të gjithë fushat, ndërsa shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për ta vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.
“Austria e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit europian. E ka përkrahur gjithmonë dhe e bën edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Nëse vlerësohet se janë përmbushur kriteret, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë këtë përkrahje për heqjen e vizave”, tha kryeparlamentari Sobotka.
Turneun lobues për liberalizimin e vizave, kryeparlamentari Veseli ka vendosur ta fillojë në Austri, pasi ky shtet mik i Kosovës, nga data 1 korrik do të marrë kryesimin e Këshillit Europian.
Top Channel