Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Greg Delawie tha sot se përkushtimi i qeverisë së Kosovës për të profesionalizuar zyrtarët publikë është thelbësor për ta ruajtur besimin e qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve që u shërbejnë.

Ai i bëri këto komente në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri, rreth 25 kilometra larg Prishtinës, ku u zbulua certifikata e dhënë nga “Shoqata ndërkombëtare e drejtorëve të standardeve të zbatimit të ligjit dhe trajnimit”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përmbushjen e standardeve për trajnimin e zyrtarëve policorë.

Ambasadori Delawie tha se është me rëndësi që institucionet e Kosovës të vazhdojnë trajnimin e zyrtarëve publikë që u shërbejnë qytetarëve me standardet më të larta të kërkuara.

“Ministria e Punëve të Brendshme, udhëheqësit e policisë dhe agjencitë e tjera që trajnohen këtu, duhet që të sigurojnë që trajnimin që e marrin policët në këtë akademi, të jetë në përputhje me standardet dhe kjo nënkupton që gjatë gjithë kohës duhet të rishikojmë dhe konfirmojnë ato standarde për t’i përmbushur të gjitha nevojat e zyrtarëve të zbatimit të ligjit që trajnohen dhe të komuniteteve që do u shërbejnë“, tha ambasadori Delawie.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi tha se certifikimi duhet të shërbejë për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Marrja e certifikatës nga Shoqata ndërkombëtare e drejtorëve të standardeve të zbatimit të ligjit dhe trajnimit në Boston të Shteteve të Bashkuara, besoj që do të shërbejë jo vetëm si rast për të festuar dhe për t’u gëzuar por edhe shumëfishim të ambicieve dhe përpjekjeve tona të përbashkëta për të ecur më tej në rrugën e aftësimit të institucioneve të sigurisë publike”, tha ministri Gashi.

Autoritetet thonë se po bëjnë përpjekje që të rrisin edhe më tej standardet e shërbimit policor në mënyrë që të përmbushen nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Policia e Kosovës llogaritet si institucioni ku më së shumti janë përfshirë komunitetet pakicë, posaçërisht serbët e Kosovës. Ky institucion është krijuar menjëherë pas përfundimit të luftës ndërkaq trajnimi i policisë së Kosovës është bërë nga oficerë amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA