Qeveria e Kosovës tërhoqi nga Kuvendi platformën për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Arsyetimin e dha ministri i Mirëqënies Sociale, Skënder reçica.
“Në emër të kryeministri Ramush Haradinaj me mirëkuptim kërkoj të hiqet platforma për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend me 23 prill 2018 në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsenusi më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtejshme”, deklaroi ai në Kuvend.
Por, kjo nuk shmangu debatet në seancë. Përplasjet më të mëdha u regjistruan mes ish-llojit. Deputetët e Partisë Socialdemokrat, që lindi nga të pakënaqurit e Lëvizjes Vetëvendosje iu kundërvunë Albin Kurtit dhe qëndrimeve të tij të mëhershme, kur kritikonte Ramush Haradinajn se po formon kabinetin e ri me “çetnikët” e Lëvizjes Serbe.
“A është i gatshëm sot Albin Kurti që të rrëzojë Qeverinë me ata që i cilësoi dje çetnikë?”, pyeti deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Përgjigjen e mori nga deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Ai i kujtoi ish-kolegut të tij në VV se sulmet e forcojnë më shumë këtë parti, ndërsa premtoi që Vetëvendosje nuk “do të ledhatojë” më Shpend Ahmetin, kreun e PSD-së dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Prishtinës.
“Jeni bërë bashkë me të tjerët kundër Vetëvendosjes. Shpend Ahmeti nuk është më në VV. Ai është kryetar i PSD-së. Ai duhet të kontrollohet e të monitorohet si kryetar i një partie tjetër. Vetëvendosje nuk mund ta ledhatojë më atë”, tha ai.
Ndërkohë, Lista Serbe kërkoi tërheqjen e projektligjit për liritë fetare nga rendi i ditës, duke kërkuar kohë npër konsultime shtesë rreth tij. Edhe kërkesa e tyre u pranua.
Top Channel