Avokati i Presidentit Trump, Rudy Giuliani thotë se mbetet “temë e hapur” nëse zoti Trump do t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve që po përpiqen të zbulojnë mënyrat se si Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Giuliani tha se këshilltarët ligjorë të presidentit janë të mendimit se nuk duhet ta lejojnë zotin Trump të shkojë për t’u pyetur nga ekipi i Prokurorit Special, Mike Mueller.

Presidenti ka thënë prej kohësh se dëshiron t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorit Mueller, por të dielën zoti Giuliani tha për kanalin televiziv ABC se çështja “po ecën drejt zgjidhjes” për të mos lejuar që të merret në pyetje një president gjatë mandatit. Giuliani ka shprehur shqetësimin se gjatë intervistës, Presidenti mund të bjerë në grackën e “dëshmisë së rreme” që përbën vepër penale.

Zoti Giuliani tha se ekipi mbrojtës i presidentit mund ta mbështesë idenë e intervistës nëse bëhet fjalë për një intervistë të shkurtër, lidhur me temën qendrore, megjithatë për momentin e shohin më me vend që intervista të mos bëhet.

Top Channel