“Mirëdita, Dobar Dan”, pengohen e keqtrajtohen artistët kosovarë

30/05/2018 14:10

Ndalimi i disa artistëve dhe të rinjve nga Kosova, prej autoriteteve serbe në pikën kufitare të Merdarës, si dhe keqtrajtimi i tyre nga ana e policisë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Grupi udhëtonte drejt Beogradit për të marrë pjesë në Festivalin “Mirëdita, Dobar Dan”, të organizuar në kryeqytetin serb që prej vitit 2014, me qëllimin që serbët të njihen më mirë me kulturën dhe zhvillimet shoqërore në Kosovë.

“Por, incidenti në kufi – thuhet në deklaratën e Ministrisë, – bie ndesh me politikën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të ndërtimit të marrëdhënieve europiane mes dy vendeve”.

Tani do të kërkohet shqyrtimi i çështjes përmes kanaleve diplomatike. Ashpër reagoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se në Beograd ende kanë frikë nga e vërteta dhe arti.

Në mesin e personave të keqtrajtuar ishte edhe Eliza Hoxha, e cila pak ditë më parë përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias.

Organizatorët e Festivalit mendojnë se një ngjarje e tillë do të ndihmojë në normalizimin e raporteve, por me përjashtim të vitit të parë, përgjatë të gjithë periudhës në vijim ai është vështirësuar rregullisht nga forcat nacionaliste serbe, e nuk kanë munguar as përpjekjet për pengimin fizik, përfshirë këtu edhe episodet e dhunës.

Gjatë incidentit, policia kufitare serbe ndaloi futjen në territorin e Serbisë të një katalogu fotografish me simbolet e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe flamujt e Kosovës e të Shqipërisë, që ishin pjesë e një ekspozite të artistes Eliza Hoxha që do të hapej në Beograd. Ndalimi i fotografive nxiti reagime të ashpra në Kosovë, mes të cilëve edhe ai i presidentit Hashim Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook theksonte se, “Arti, kultura dhe sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim”.

Statusi i plotë i Hashim Thaçit

“Me shqetësim po i përcjell pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën ‘Mirëdita, Dobar Dan’ në Beograd. Pengesat e policisë serbe dhe të autoriteteve të qytetit të Beogradit kanë vënë në pikëpyetje organizmin e kësaj ngjarjeje kulturore. Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim. Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte europiane në mes vendeve të rajonit. Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Europës Juglindore nuk kanë të ardhme europiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA