Në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, të publikuar këtë të martë, mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, përfshihet edhe një kapitull i veçantë për lirinë e besimit në Kosovë, mes të dhënave për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore, si dhe dokumentimit të shkeljeve të kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti shqyrtoi një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.
Grupet fetare janë ankuar se autoritetet nëpër komuna shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre dhe vendvarrimet.
Raporti përmend se Komuna e Prishtinës, duke iu referuar mungesës së lejes së ndërtimit, nuk ka lejuar murgjit serbë të punojnë në kishën e papërfunduar në Prishtinë. Kisha Ortodokse serbe është ankuar se ministri i Kulturës nuk ka dhënë leje për rindërtimin e një tempulli në Prizren, ndërsa autoritetet në Komunën e Deçanit kanë refuzuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me pronat e Manastirit mesjetar të Deçanit.
Bashkësia Islame e Kosovës, thuhet në raport, ka raportuar për diskriminim kundër myslimanëve të devotshëm, posaçërisht në sektorin publik, duke përmendur rastin e një mësueseje në një shkollë publike në Prizren, e cila refuzoi ta heq shaminë në punë.
Qeveria ka punuar me Bashkësinë Islame për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe ka dënuar dëmtimin e objekteve fetare. Si pjesë e strategjisë së qeverisë, Bashkësia Islame ka mbajtur sesione në Medrese dhe Fakultetin e Studimeve Islame, me qëllim njoftimin e të rinjve që të mos bien prè e ekstremizmit.
Raporti thekson se protestuesit kanë sulmuar në disa raste pelegrinët serbë, duke përmendur pengimin e vizitës në Gjakovë. Raporti përmend edhe dëmtimin e një xhamie në fshatin Partesh, të rajonit të Gjilanit, nga serb etnik.
Organizatat fetare, thuhet në raport, takohen rregullisht për të diskutuar të drejtat e pronës, përparësitë ligjore dhe çështjet që lidhen me komunitetet lokale.
Ambasadori amerikan dhe përfaqësuesit e tjerë të Ambasadës amerikane takohen shpesh me zyrtarët qeveritarë për të nxitur tolerancën fetare, kalimin e ligjeve që u mundësojnë institucioneve fetare rregullimin e statusit ligjor dhe zbatimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e objekteve fetare, si dhe për të diskutuar përpjekjet për të zgjidhur çështjen e pronave.
Ambasada angazhohet kundër praktikave diskriminuese të punësimit të besimtarëve myslimanë, apo grupeve të tjera fetare, e përfaqësuesit e saj diskutojnë rregullisht për tolerancën fetare me udhëheqësit e komuniteteve kryesore fetare.
Qeveria amerikane vlerëson se në Kosovë jetojnë rreth 1.9 milionë banorë, nga të cilët 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë, si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Pakica serbe nuk i pranon këto të dhëna, duke qenë se ka refuzuar të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Kisha Ortodokse serbe thotë se ka 120 mijë besimtarë, apo 6.3 për qind.
Raporti thekson se ligji parashikon zona të posaçme të mbrojtura përreth objekteve fetare, duke kufizuar veprimtaritë që mund të dëmtojnë rrethinën historike, kulturore apo mjedisin.
Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë hapa për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm që lidhet me besimin. Aty përmendet edhe akuza e ngritur vitin e kaluar ndaj imamit Shefqet Krasniqi, për nxitje të terrorizmit, i cili u shpall i pafajshëm ditë më parë, si dhe ndaj 4 imamëve të tjerë “për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare apo etnike”.
Në raport përmendet mbështetja financiare e qeverisë për institucionet arsimore islame në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan. Disa pjesëtarë të grupeve të tjera dhe përfaqësues të tjerë jofetarë thanë se ishin të shqetësuar që qeveria nuk e kishte financuar arsimimin fetar për grupet e tjera fetare, thuhet në raport.
Në raport përmendet edhe raportimi i medieve për trysninë e qeverisë turke mbi institucionet e Kosovës për t’i mbyllur shkollat e lidhura me klerikun mysliman, Fethullah Gulen. Aty përmendet edhe postimi në Facebook i kandidatit për kryetar komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Korenica, se shumë shpejt Izraeli do të “zhdukej nga faqja e dheut”, si përgjigje ndaj incidenteve në Jeruzalem. Postimi është hequr pas reagimeve dhe zoti Korenica ka kërkuar ndjesë.
Me gjithë vendimin e presidentit, të shpallur në nëntor të vitit 2016 për të ndalimin e shitjes dhe shpërndarjes së librave me përmbajte antisemite, qeveria nuk ka ndërmarrë veprime administrative për të zbatuar vendimin, thuhet në raport.
Kisha Ortodokse serbe kritikoi mediet për nxitje të një klime jotolerante, thuhet në raport, ndërsa Bashkësia Islame tha se mediet përgjithësisht portretizuan myslimanët në mënyrë negative.
Policia e Kosovës raportoi 44 incidente që synonin dëmtimin e pronës fetare, vjedhje dhe grafite gjatë vitit 2017. Rastet përfshinin 21 raste më komunitetin islam, 20 kishën ortodoksë serbe dhe 3 në kishat katolike.
Udhëheqësit e grupeve të ndryshme fetare kanë raportuar në përgjithësi marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe kanë marrë pjesë në diskutime për shqetësimet e përbashkëta.
Top Channel