Xhudistja e artë kosovare, Majlinda Kelmendi është pajisur këtë të hënë me pasaportë diplomatike, të cilën ia ka dorëzuar kreu i shtetit kosovar, Hashim Thaçi.
Kampionia olimpike në sportin e xhudos nuk ka qenë e vetmja pjesë e këtij suksesi, pasi me pasaporta diplomatike janë pasur edhe trajneri i saj, Driton Kuka, si dhe kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka.
Presidenti Thaçi, përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook e ka vlerësuar Majlinda Kelmendin si ambasadoren më të çmuar të Kosovës.
“Në mënyrë solemne, sot kam ndarë pasaportën diplomatike për xhudisten e artë, Majlinda Kelmendi, për trajnerin Driton Kuka dhe kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka. Majlinda është ambasadorja më e çmuar e vendit tonë dhe personifikon suksesin e Republikës së Kosovës në botë”, ka shkruar Thaçi.
Këtë vlerësim e ka mirëpritur edhe trajneri i saj, Driton Kuka, që ka reaguar gjithashtu në Facebook.
“Presidenti Thaçi i dha solemnisht pasaportën diplomatike, kampiones olimpike. Ambasadorja më e mirë e vendit dhe popullit tim. Presidentit, kryeministrit Haradinaj dhe stafit në Ministrisë së Punëve të Jashtme u jemi mirënjohës për avancimin e kësaj çështjeje. Besoj që e ka merituar”, ka shkruar Kuka.
Top Channel