Pas kalvarit të gjatë të ndërtimeve në Valbonë, një tjetër zonë në vend është e rrezikuar nga ndërtimi i HEC-eve. Kësaj radhe shqetësimi prek zonën e Dibrës, ku mbi lumin Seta do të ndërtohet një tjetër HEC.

“SETA 4” dëmton ujëvarën e Saponikës dhe kanionet e Setës, monumente natyrore të kategorisë së tretë, që gëzojnë shkallën e parë të mbrojtjes.

Banorët ankohen në “Fiks Fare”, pasi nuk kanë qenë dakord për ndërtimin e HEC-it “SETA 4” në Çidhën të Dibrës. Madje ata shprehen se, edhe pse në dokumente figurojnë firmat e tyre, ato janë falsifikuar.

Për të kundërshtuar prishjen e monumenteve natyrore dhe futjen e ujit të lumit Seta në tubacione, banorët kanë bërë për 3 vite me radhë protesta, deri edhe në bllokim të punimeve të firmës ndërtuese të HEC-it.

Ata iu drejtuan edhe Gjykatës Administrative në Tiranë me një kërkesë-padi kundrejt vendimit të KKRT-së për dhënien e lejes për ndërtimin e HEC-it “Seta 4”. Po ashtu i janë drejtuar edhe Gjykatës së Apelit me kërkesën që të pezullohen punimet në këtë zonë të mbrojtur.

“Seta 4” është në fakt HEC-i i pestë që merr pjesën fundore të lumit, bashkë me burimet e tij.

“Janë ujëra me cilësi të lartë me përmbajtje ozoni. Janë një pasuri e madhe dhe ne duam ta mbrojmë”, u shpreh njëri prej banorëve.

Edhe Ujëvara e Saponikës, një monument natyre i shkallës së tretë, por që ka shkallën e parë të mbrojtjes (nuk lejohet as edhe një lloj ndërtimi në të), rrezikon të futet në tuba pas ndërtimit të HEC-it të katërt në këtë rajon.

Gazetarët e “Fiksit” ishin në luginën e Setës për të parë nga afër rrezikun që i kanoset kësaj zone.

“Këtë bukuri na e ka dhënë Zoti, nuk ka më turizëm malor. Brezat këtu vihen përpara pyetjes: Të rrinë a të mos rrinë? Nëse do të zhduken këto ujëra këtu nuk ka më jetë. Mundohemi t’i mbrojmë me shpirt që t’ua lemë pasardhësve. Nëse zhduken këto ujëra këtu është jo vetëm krim, por gjenocid”, shprehen banorët.

Ata pohojnë për gazetarët se zëri i tyre nuk është dëgjuar, edhe pse kanë protestuar prej 3 vitesh dhe më pas kanë ndjekur rrugët ligjore.

“Gjykata nuk po merr vendim të ndërmjetëm, që së paku të ndërpresë punimet. Apeli ka 4 muaj që e ka kërkesën tonë dhe nuk e shqyrton. Po zvarritet pa kuptim. Sigurisht ka ndërhyrje politike. Ne do ta vazhdojmë rrugën gjyqësore deri në Strasburg”, këmbëngulin banorët.

“Ky lumë është larë me gjak. I lutemi shtetit të mos ia prishë shqipes folenë”, pohojnë ata për “Fiks Fare”.

Për ta mbrojtur zonën, këta banorë shprehen se janë të gatshëm për gjithçka, madje ata shtojnë se, nëse shteti nuk u jep zgjidhje, ata do të përdorin metodat zakonore që kanë.

Për ta kuptuar më mirë se çfarë dëmi u shkaktohet këtyre kanioneve, gazetarët e “Fiksit” intervistuan ambientalistin Sazan Guri. Ai pohon se grykën e Setës, me dokumente e kanë zhvendosur 4 kilometra më poshtë se ç’është në të vërtetë. Ai tregon se dëmtohet rëndë turizmi malor.

Futja në tubacione e mbi 85% të sasisë së ujit të lumit asgjëson florën dhe faunën e këtij territori.

“Unë do t’i mbështes deri në fund këta banorë për këtë kauzë”, deklaron Sazan Guri. Përroi i Setës buron nga malet e Lurës, duke furnizuar 19 fshatra me ujë të pijshëm dhe 4 kanalet vaditëse të 4 ish-komunave.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA