Iowa, miratohet ligji më i ashpër kundër abortit

03/05/2018 00:03

Ligjvënësit republikanë në shtetin amerikan të Iowas, miratuan një draft ligjor që ndalon abortin në momentin kur konstatohet se zemra e fetusit ka filluar të rrahë.

Drafti i është dërguar Guvernatorit të shtetit për t’u firmosur, ndërsa shihet si ligji më i ashpër kundër abortit, i miratuar ndonjëherë.

Praktikisht ky ligj ndalon abortin pas javës së 6, ndërsa kritikët kanë rezerva, pasi thonë se aborti bëhet ilegal para se gratë të kuptojnë se janë shtatzëna.

Në draft parashikohen edhe disa përjashtime, për raste incesti apo dhunimi, por nëse këto janë raportuar më parë në polici, ndërsa nuk preken as rastet kur bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e gruas që mbart fetusin.

“Ne jemi mazhorancë për një arsye që përfshin edhe avancimin e çështjeve të jetës. Ne jemi gjallë kur zemrat tona fillojnë të rrahin dhe të vdekur kur ato ndalojnë”, deklaroi kryetarja e grupit republikan Shenon Lundgren.

Guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds ka marrë tashmë draftin, por ende nuk është shprehur nëse do ta firmosë dhe t’i hapë rrugë zbatimit, apo do ta kthejë mbrapsht.

Top Channel