Analizë nga Mark Lieber, CNN – Marijuana është e njohur për efektet e saj, si ngadalësimi i disa funksioneve njohëse, si të mësuarit, kujtesa apo vëmendshmëria për një kohë të gjatë. Por, një studim i ri i kryer te të rinjtë tregon se, këto efekte njohëse, pavarësisht se në një dozë domethënëse, mund të mos zgjasin për shumë kohë, edhe mes përdoruesve kronikë.

Analiza e publikuar të mërkurën në revistën “JAMA Psychiatry” kombinon të dhënat nga 69 studime të kaluara që shqyrtonin efektet e përdorimit të dendur të kanabisit ndaj funksioneve njohëse tek adoleshentët dhe më të rriturit ende të rinj.

Nga kjo analizë u zbulua se të rinjtë e identifikuar si përdorues “të vjetër” të marijuanës shënuan nivele ndjeshëm të ulëta krahasuar me jopërdoruesit, në një sërë fushash njohëse si të mësuarit, shpërqëndrimi, shpejtësia e përpunimit të informacionit, kujtesë e vonuar, frenimi apo vëmendshmëria.

“Ka pasur disa analiza të bëra mbi të rriturit, por kjo e tanishmja është e para që bëhet specifikisht mbi adoleshentët dhe të rriturit në moshë ende të re”, thotë Cobb Scott, profesor asistent i psikiatrisë në Shkollën Perelman të Mjekësisë, në Universitetin e Pennsylvanisë, si dhe udhëheqës i këtij studimi.

“Kemi vëzhguar gjithçka, nga të mësuarit dhe kujtesa, e deri te aspektet e tjera të funksioneve ekzekutive si aftësia për t’u shpërqëndruar, – thotë Scott. – Kryesisht kemi parë se efektet më të mëdha, që përbënin rreth një të tretën e dejivimeve nga standardi, ishin te të mësuarit e informacioneve të reja dhe disa aspekte të funksioneve ekzekutive, kujtesës apo shpejtësisë së përpunimit të informacionit”.

Por, kur hulumtuesit i ndanë studimet mbi bazën e kohëzgjatjes së rezistimit ndaj përdorimit të marijuanës, diferenca në funksionet njohëse mes përdoruesve të marijuanës dhe jopërdoruesve nuk bëhej më e dukshme pas thuajse 72 orësh heqje dorë nga marijuana. Kjo mund të jetë një e dhënë se “disa prej efekteve të gjetura në studimet e kaluara mund të jenë për shkak të efekteve të mbetura të kanabisit, ose potencialisht nga efektet e tërheqjes, te përdoruesit e sasive të mëdha të kanabisit”, thotë më tej Scott.

Studimi vjen në një kohë kur Amerika vijon të debatojë mbi përfitimet e legalizimit të marijuanës. Përdorimi i kanabisit për qëllime rekreative është i ligjshëm në 9 shtete. Ndërkohë, 29 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë legalizuar disa forma të përdorimit të marijuanës, ndërsa të paktën 3 shtete të tjera po shqyrtojnë mundësinë për ta bërë diçka të tillë përpara zgjedhjeve të nëntorit, sipas asaj që thotë Melissa Moore, zyrtare e Nju Jorkut për Aleancën jofitimprurëse të Politikave të Drogës.

Studimet e efekteve afatgjata njohëse të shkaktuara nga marijuana mes adoleshentëve dhe të rriturve në moshë të re kanë shfaqur rezultate të paqëndrueshme. Një studim i vitit 2008 raportoi se përdorimi i shpeshtë ose i hershëm i kanabisit mes adoleshentëve, lidhej me performanca të varfra njohëse në detyrat që kërkojnë funksione ekzekutive, vëmendje të lartë apo kujtesë rastësore.

Në vitin 2014, studimi paralajmëroi gjithashtu kundër përdorimit të marijuanës gjatë adoleshencës, kur pjesë të caktuara të trurit, përgjegjëse për funksionet ekzekutive si “prefrontal cortex”, janë ende duke u zhvilluar.

“Ka pasur studime tepër të rëndësishme që tregojnë prova dëmesh të pakthyeshme nga përdorimi i marijuanës, ndaj dhe ekziston nevoja për të bërë më shumë kërkime në këtë fushë”, thotë Kevin Sabet, ndihmësprofesor plotësues, nga Shkolla e Mjekësisë në Yale dhe president i OJF-së “Qasjet e zgjuara ndaj Marijuanës”, që është përfshirë në këtë studim të ri.

“Shpresoj që të kenë të drejtë. Ne duam vërtet që të kemi sa më pak efekte pas 72 orësh. Por, duke parë edhe studimet e kaluara, që kanë pasur prova të konsiderueshme të publikuara gjatë 5 viteve të kaluara në revista të njohura, mendoj se duket të përfshihemi edhe më shumë në këtë fushë”, shtoi më tej Sabet, grupi i të cilit fokusohet në dëmtimet që vijnë si pasojë e legalizimit të marijuanës.

Por, një numër studimesh të fundit kanë treguar gjithashtu se lidhja mes përdorimit të marijuanës dhe funksioneve të reduktuara të njohjes zhduken pasi kryen kontrolle për faktorë të tillë si, sëmundjet psikiatrike dhe çrregullime nga përdorimi i substancave narkotike, sipas Scott.

Në përpjekje për të kuptuar këto rezultate të paqëndrueshme, studimi i ri kombinoi të dhëna nga 69 studime të mëparshme, duke rezultuar në një krahasim mes 2.152 përdoruesve të shpeshtë të marijuanës dhe 6.575 jopërdoruesve. Përdoruesit janë të grupmoshave nga 10-50 vjeç, mosha mesatare e të cilëve është 21 vjeç.

Studiuesit gjetën se, në përgjithësi, funksionet njohëse të përdoruesve të vazhdueshëm të marijuanës reduktoheshin me një të tretën e devijimit standard, krahasuar me përdoruesit jo të vazhdueshëm, një masë relativisht e vogël efekti sipas Scott.

“Mendoj se shumë prej nesh, që janë marrë me këtë analizë, kanë mbetur të surprizuar nga fakti që nuk ka dallime kaq të mëdha mes këtyre efekteve, – tha më tej Scott. – Por, do të doja të shtoja se rëndësia klinike e një çereku të devijimit standard është disi e diskutueshme”.

Sipas Sabet, ndërkohë, edhe një efekt relativisht kaq i ulët mund të jetë i rëndësishëm, veçanërisht në analiza të rëndësishme të kaq shumë të dhënave, si në këtë studim.

“Efektet e vogla në dukje mund të jenë domethënëse në një popullsi të konsiderueshme dhe sërish, të gjitha aspektet njohëse janë më të përkeqësuara tek ata që përdorin marijuanën”, thotë Sabet.

“Studimi është një lajm mjaftueshëm i keq për përdoruesit e kanabisit – shtoi ai. – Në tërësi, mendoj se kjo është në përputhje me literaturën, sipas së cilës përdorimi i marijuanës shfaq rezultate më të dobëta njohjeje mes përdoruesve dhe jopërdoruesve”.

Në përpjekje për të identifikuar faktorë të tjerë potencialë që mund të kenë ndikuar në marrëdhënien mes përdoruesve të kanabisit dhe njohjes, kërkuesit ndanë gjithashtu studimet mbi bazën e përmbajtjes nga përdorimi i marijuanës, mosha e përdorimit për herë të parë të kanabisit, karaktaristikat sociodemografike dhe ato klinike, siç është depresioni.

Nga këto, vetëm zgjatja kohore e refuzimit për përdorim të kanabisit u zbulua të prekë ndjeshëm lidhjen mes përdoruesve kronikë të marijuanës dhe funksioneve të reduktuara të njohjes. Specifikisht, funksionet njohëse duken të kthehen në normalitet pas 72 orësh nga mospërdorimi i marijuanës, një gjetje e identifikuar edhe në studimet e mëparshme sipas Scott.

“Arsyeja përse zgjedhim afatin 72-orësh është se, pas shqyrtimit të të dhënave mbi efektet e refuzimit ndaj kanabisit në përdoruesit e shpeshtë të tij, kjo periudhë duket se e tejkalon kulmin e efekteve kryesore që lindin si pasojë e tërheqjes”, tha ai.

Gjithsesi, të 69 studimet e përfshira në shqyrtim nuk kanë një përcaktim uniform për përdoruesit “kronikë” apo “e vazhdueshëm” të marijuanës, një prej kufizimeve kryesore të këtij studimi sipas Sabet. “Kur i vë përballë të gjitha këto studime që kanë përcaktime të ndryshme mbi përdoruesit e marijuanës dhe që vijnë nga periudha të ndryshme kohore, atëherë nuk është surprizë që të marrim një ndryshim tejet të vogël të efekteve”, thotë Sabet.

Studimet u mbështetën gjithashtu në një sërë testesh për të përcaktuar funksionet njohëse.

“Një tjetër gjë e rëndësishme për t’u nënvizuar është se, ne po shohim vetëm funksionet njohëse. Nuk kemi shqyrtuar rreziqet e tjera të kundërta që vijnë me përdorimin e kanabisit, si rreziku për psikozë, rreziku për probleme nga përdorimi i kanabisit, apo çështje mjekësore si rezultatet e funksionimit të mushkërive”, tha Scott.

Megjithatë, rezultatet sugjerojnë ende se efektet negative të njohjes nga përdorimi i marijuanës, edhe pse të rënda në një periudhë afatshkurtër, me shumë mundësi lehtësohen me kalimin e kohës. Ato hedhin dritë edhe mbi nevojën për të pasur më shumë studime në këtë fushë, veçanërisht kur politika mbi kanabisin në SHBA vazhdon të ndryshojë me ritme të shpejta.

“Ndërsa qëndrimet ndryshojnë mbi përdorimin e kanabisit dhe ky i fundit bëhet disi më i pranueshëm në aspektin e politikës dhe rregulloreve qeveritare, e sigurisht edhe përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore rritet, atëherë mendoj se duhet të kemi një panoramë më të qartë të të kuptuarit të rreziqeve potenciale dhe përfitimeve nga përdorimi i kanabisit”, mbyll diskutimin e tij Scott.

Top Channel