TVSH, Tatimet: Deklaratë e thjeshtëzuar për bizneset e vogla

19/04/2018 20:23

Duke nisur nga 1 prilli, bizneset që në 2017 kanë kaluar një xhiro vjetore prej 2 milionë lekësh janë futur automatiksht në skemën e re të TVSH.

Megjithëse ka pasur kundërshti, për tatimet nuk ka kthim mbrapa, 9900 subjekte duhet të plotësojnë çdo tre muaj deklaratën tatimore për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero thotë se për bizneset e vogla kjo deklaratë do të jetë e thjeshtëzuar.

“Deklarata e TVSH për këtë kategori biznesi do të jetë shumë e thjeshtëzuar, nuk do të ketë të gjitha rubrikat që ka një deklaratë standarde e TVSH dhe kjo për t’u ardhur në ndihmë të gjithë tatim-paguesve gjatë këtij procesi”, thotë drejtorja e Tatimeve.

Gjatë kësaj periudhe tatimet thonë se do të asistojnë bizneset e vogla që futen për herë të parë në skemën e TVSH, ndërkohë që do ketë tolerime për shkeljet që mund të kryhen gjatë periudhës së parë.

“Administrata nuk do të jetë e ashpër me penalitete për deklarata të gabuara gjatë plotësimit të këtyre deklaratave për herë të parë”, sqaron Vasilika Vjero.

Ulja e pragut të TVSH nga 5 milionë në 2 milionë lekë xhiro vjetore në vit ka hasur kundërshti të mëdha nga biznesi i vogël. Në të gjithë vendin janë organizuar disa protesta kundër kësaj mase të marrë nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA