Siri, OBSH: Të paktën 500 pacientë me simptoma agjentësh kimikë

11/04/2018 11:30

Të paktën 500 pacientë kanë shfaqur simptoma të qarta të shkaktuara nga një sulm me armë kimike në enklavën rebele siriane të Ghoutës Lindore.

Në këtë konkluzion ka dalë Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një raport të publikuar këtë të mërkurë.

OBSH shprehet tejet e alarmuar nga raportimet për përdorimin e lëndëve kimike toksike në qytetin Douma, në Ghoutën Lindore. Sipas të dhënave të siguruara nga partnerët e Shëndetësisë, gjatë bombardimeve të së shtunës, të paktën 500 pacientë u paraqitën në qendrat shëndetësore me shenjat dhe simptomat që rrjedhin pas ekspozimit ndaj lëndëve krimike vdekjeprurëse.

“Në veçanti, pati shenja të acarimeve të rënda të mukozës, problemeve të rënda të frymëmarrjes dhe çrregullime të sistemit nervor qendror të atyre që ishin të pambrojtur përballë një sulmi të tillë”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.

Më shumë se 70 persona që ishin strehuar në bodrume raportohen të kenë vdekur, 43 prej të cilëve si pasojë e simptomave të shkaktuara nga ekspozimi ndaj lëndëve kimike tejet toksike. Madje, raportohet se edhe dy qendra shëndetësore u prekën nga sulmet e së shtunës.

OBSH-ja iu kujton palëve në konflikt detyrimin për t’u frenuar nga zelli për të sulmuar mjediset shëndetësore dhe personelin e tyre, bazuar në rezolutën 2286 të Këshillit të Sigurimit, të miratuar në vitin 2016.

“Çdo përdorim i armëve kimike me synimin për t’i dëmtuar ato është në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Normat globale kundër armëve kimike reflektojnë një neveri të veçantë ndaj dëmeve joproporcionale të të moshuarve, të të pafuqishmëve dhe më të rinjve mes nesh”, vijon komunikata e OBSH-së.

Top Channel