Rusia paralajmëron SHBA: Jo aventurë ushtarake në Siri

11/04/2018 09:47

Donald Trump kërkoi 24 deri në 48 orë kohë për të dalë me një vendim në lidhje me hapat që do të ndjekë Uashingtoni pas sulmit të radhës me armë kimike në Siri dhe tha se mes mundësive që po shqyrtohen është edhe ndërhyrja ushtarake.

Fill pas kësaj deklarate anije luftarake amerikane, franceze e britanike janë nisur drejt brigjeve siriane. Mediat ndërkombëtare raportojnë se luftëanijet perëndimore kanë hyrë në rrezen e veprimit, nga ku mund të sulmojnë me raketa objektivat në Siri.

Menjëherë pas kësaj, anijet ruse që ndodhen të stacionuara kryesisht në Latakia janë vënë në gjendje gatishmërie, ndërkohë që nga Kombet e Bashkuara, përfaqësuesi i Moskës bëri një paralajmërim të fortë për Uashingtonin.

“Dua t’u kërkoj edhe një herë vetëpërmbajtje dhe tërheqjen nga plani që po shqyrtoni! Do të mbani përgjegjësinë për çdo aventurë ushtarake të jashtëligjshme në Siri”, deklaroi përfaqësuesi rus në OKB, Vasily Nebenzia ditën e martë.

Megjithatë, udhëheqësit perëndimore thonë se janë të vendosur për të ndëshkuar përgjegjësit e sulmit kimik në Duma. Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se sulmet ajrore do të shënjestrojnë laboratorët e prodhimit dhe grumbullimit të armëve kimike të qeverisë siriane.

Reagim të fortë dhe konkret ka premtuar edhe Donald Trump dhe ai, së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis kanë anuluar të gjithë axhendën e tyre të udhëtimeve për këtë javë.

Top Channel