Qindra fermerë të vegjël në luginën e Drinos ankohen këtë vit për çmime më të larta në teknologjinë e punimit të tokës, por edhe për farërat dhe mungesën e subvencioneve. Ata flasin gjithashtu për konkurrencë të shtuar të produkteve që hyjnë nga jashtë.
Kostandin Dukoli dhe e shoqja po mbjellin fasule në Kakoz, një fshat i krahinës së Lunxhërisë në Gjirokastër.
“Shpenzimet janë të shumta dhe unë nuk kam asnjë leverdi. Nafta është rritur dhe ne nuk ia dalim dot”, shprehet Kostandini.
Dhimitër Krisafi është pronar i një plantacioni me 600 rrënjë dardhë dhe vreshta. Ai thotë se kurrë nuk ka pasur mundësi të paguajë sigurime shoqërore për veten: “Nuk ka treg shitjeje, rrugë nuk ka, subvencionet nga shteti mungojnë. Parcela ka kosto, një dynym arrin 15 mijë lekë (të vjetra)”.
Leonidha Prifti, ish-agronom, punon 10 orë çdo ditë për t’i shërbyer parcelës së tij me perime dhe pemë frutore. Ai po kryen spërkatje kundër parazitëve. Për shërbime si këto dhe të tjera, në mungesë të mbështetjes, prodhimi i tij në pjeshkë del me çmime jokonkurruese në treg.
“Kam 7 vite që nuk më ka ndihmuar asnjeri sepse ka një problem: duhet t’i kesh parcelat në një vend. Kur u nda me 7501-n, u nda në pak parcela dhe këtu nuk bën dot një kooperativë edhe nëse do”, tregon Leonidha.
Në Gjirokastër, 80% e tokave që dikur kultivoheshin me drithëra dhe perime, prej vitesh kanë shkuar në funksion të blegtorisë. Një pjesë e tokës mbillet me jonxhë dhe pjesa dërrmuese është lënë djerrë, për t’u përdorur si kullotë.
Nëse kostot për bujqësinë do të mbeten kaq të larta, fermerët thonë se edhe interesi për kultivim do të jetë gjithnjë në rënie.
Top Channel