Snajperi izraelit qëllon palestinezin e paarmatosur, feston!

10/04/2018 13:10
Personi ne qendër është qëlluar për vdekje

Mediet izraelite publikuan pamje, që duket se shfaqin një snajper të ushtrisë izraelite duke ekzekutuar një palestinez të paarmatosur, ndërsa dëgjohen edhe brohoritje gëzimi pas krismës fatale. Ushtria izraelite tha se, menjëherë pas publikimit të videos nga mediet ka nisur një hetim për të zbuluar se çfarë ka ndodhur.

Asnjë media nuk ka mundur ta verifikojë autenticitetin e videos, por duket se ngjarja zhvillohet në kufirin me Gazën. Prej ditësh, mijëra palestinezë protestojnë aty dhe dhjetëra prej tyre kanë mbetur të vrarë në përballjet me ushtrinë izraelite.

Në video dëgjohet një person që filmon ngjarjen përmes dylbive të tij dhe që bisedon me snajperin. Pasi bien dakord për objektivin, një person që nuk po bënte asgjë, dëgjohet edhe e shtëna.

Ekzekutimi pasohet nga brohoritjet e gëzueshme të disa njerëzve, që përgëzojnë snajperin për goditjen. Më pas sigurohen që ekzekutimi spektakolar, siç e quajnë ata, është filmuar, duke pyetur disa herë atë që mban kamerën.

Ushtria izraelite po vëzhgohet me shumë kujdes nga komuniteti ndërkombëtar, për reagimin e ashpër ndaj protestave të palestinezëve dhe videoja në fjalë ka shtuar edhe më shumë presionin mbi të.

Top Channel