Harrojini Sergei e Yulia Skripal. Drejt Amerikës me identitete të reja

10/04/2018 10:42

Ish-agjentit rus Sergei Skripal do t’i jepet një identitet i ri, e pritet të nisë një jetë të re në Amerikë. Të paktën kështu zbulon “Sunday Times”.

Zyrtarët britanikë kanë thënë gjithashtu se oferta vlen edhe për vajzën e tij, Yulia Skripal, e cila mëngjesin e kësaj të marte ka mundur të dalë nga spitali, pas qëndrimit aty prej mbi një muaji, si pasojë e helmimit me agjent nervor më 4 mars nga një sulm që besohet të jetë ndërmarrë nga Rusia.

Një zyrtar i lartë britanik, i cituar nga “Sunday Times” tha se, “MI6” kishte zhvilluar diskutime me “CIA”-n amerikane, mbi zhvendosjen e dyshes Skripal në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që t’i mbrojnë ata nga ndonjë përpjekje e mëtejshme për vrasjen e tyre.

“Vendi më i mirë për strehimin e tyre është Amerika, sepse ata do të kenë shumë më pak gjasa të vriten atje. Madje do të ishte më e lehtë të mbrohen nën identete të reja”, është cituar të ketë thënë një burim i shërbimit sekret britanik.

Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re ishin gjithashtu pjesë e listës së konsideruar për zhvendosje.

E ndërsa Yulia la spitalin ditën e sotme, babai i saj ndodhet ende i shtruar, por duke u rikuperuar me shpejtësi, thonë zyrtarë të spitalit të Salisburyt, në Britani.

Top Channel