“Hungaria e para…” Si erdhi Orban deri te fitorja

09/04/2018 08:56

Me parimin “Hungaria e para”, Orban ka ndikuar më shumë se çdo politikan tjetër në vendin e vet që nga rënia e Perdes së Hekurt.

Ai e provoi qeverisjen në vitin 2010 e përpara kësaj edhe në vitet 1998-2002. E diela solli rikonfirmin e Orbanit në krye të ekzekutivit dhe triumfi ishte dërrmues.

Por, si arritën hungarezët t’ia jepnin votën sërish në një masë të tillë? Për të kuptuar këtë, thotë Boris Kalnoky, duhet të kthehesh në vitin 2006, kur u bënë publike disa regjistrime të kreut socialist të qeverisë, Ferenc Gyurcsány. Pa pushim, populli është gënjyer, dëgjohej në njërin prej tyre. Tek hungarezët atëherë, diçka u thye. Besimi tek demokracia dhe bindja se falë ndryshimit të sistemit, gjithçka do të bëhet më mirë. Protestat masive kundër Gyurcsány u shtypën brutalisht. Opozitarët e drejtuar nga Orbani u rrahën me shkopinj gome.

Pas kësaj, erdhi kriza e 2008-2009. Vendi u gjend në prag kolapsi, pati nevojë për kreditë e FMN-së dhe Orbani premtoi atëherë një fillim të ri. Hungaria duhet të fillojë të mendoje me kokën e vet. Në atë kohë të vështirë, ai përfaqësonte idenë se nevojiteshin rrugë të reja për vendin e kjo i solli në vitin 2010 një fitore spektakolare.

Bilanci i Orbanit nuk ishte i keq: në kohën e krizës, në vend që të “shtrydhte” qytetarët, ai i “mbyti” koncernet multinacionale me tatime speciale dhe uli taksat për qytetarët dhe shtresën e mesme. Rriti eficencën e mbledhjes së tatimeve. Borxhi shtetëror u ul nga 82% në 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai urdhëroi konvertimin e detyruar të të ashtuquajturave kredi devizash nën vlerën e tregut. Bankat (e huaja) u goditën, por qindra e mijëra familje shpëtuan nga ngecja në borxhe.

Ekonomia rritet, rrogat po rriten, në vend ka gati punësim të plotë. Telat me gjemba në kufi nga ana tjetër mbajnë larg emigrantët. Triumfi i së dielës e forcon legjitimitetin e tij edhe në nivel europian, pasi nga ky ngadhënjim marrin krahë partitë nacionaliste në mbarë kontinentin. Euroskeptiku që i kundërvihet integrimit të mëtejshëm europian e lavdëron hapur liderin rus Vladimir Putin, premton ulje të tatimit mbi fitimin dhe miratim politikash të rritjes ekonomike, por për median kritike ndaj tij dhe grupet e shoqërisë civile që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe kundër korrupsionit, rezultati i votimeve të së dieles do të thotë telash.

Top Channel