Strategjia kombëtare e energjisë, Rama: Qytetarët, aksionerë në OSHEE

26/03/2018 11:46

Strategjia kombëtare e energjisë 2030 parashikon që humbjet në rrjetin energjitik të shkojnë në 10%, çka do të ishte norma mesatare e të gjithë vendeve të BE-së, është shprehur kryeministri Edi Rama në prezantimin e kësaj strategjie.

“Në harkun e pak viteve të kemi një hapje 100% të tregut të energjisë. Sot falë këtij procesi ne kemi nisur përgatitjet për një tjetër hap shumë të rëndësishëm që besoj do të krijojë një atmosferë të re në marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe OSHEE, por dhe do të çojë në një shkallë tjetër modernizimin e kompanisë, transparencën e punës së kompanisë dhe efikasitetin e saj. Shpresoj që deri në fund të këtij viti të jemi gati që tu ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, me ambicien që vitin e ardhshëm kompania të kthehet në një kompani ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok”, është shprehur Rama.

Ai foli dhe për procesin e gazifikimit dhe përfitimet e tij: “Gazi dhe gazifikimi në tërësi përbëjnë potencial të madh dhe sfidë të madhe për të shfrytëzuar maksimalisht qoftë TAP qoftë dhe për të vijuar më tej me gazsjellësin Adriatiko Jonian, dhe lidhjen e mundshme të Shqipërisë me Kosovën dhe me linjën e gazit natyror. Ajo çka vlen të theksohet në fund është harmonizimi i tregut tonë të brendshëm me tregun rajonal të energjisë e më tej me tregun europian. Një proces aspak i lehtë me shumë sfida por i domosdoshëm”, vijoi Rama.

Rama tha më tej se sektori i energjisë në Shqipëri ishte problemi më i madh, “një gropë prej ku buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit dhe patjetër dhe një kërcënim i vazhdueshëm” ndërsa “sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit që mbetet një sfidë e hapur dhe pikërisht këtë sfidë të hapur adreson në mënyrë të qartë ky dokument strategjik që shtrihet në harkun e një kohe që nëse i referohemi vitit 2030, mund të duket një kohë e pafundme, po në fakt është as më shumë e as më pak po vetëm një duzinë vitesh”.

Top Channel