Kombëtarja shqiptare e Shpresave (U21) ka vijuar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese me Sllovakinë, në të cilat do të mungojnë disa lojtarë për shkak të grumbullimit me Kombëtaren A.

Por, pavarësisht se kuqezinjtë e vegjël janë gjymtuar disi nga zgjedhjet e Christian Panuccit, skuadra kërkon të marrë fitore.

“Nuk duhet të mendojmë për mungesat, pasi kemi gjëra më të rëndësishme. Te Kombëtarja U21, skuadra është ajo që vlen më shumë. Shpresojmë që në ndeshjet me Sllovakinë të marrim rezultate pozitive”, tha Rei Manaj, futbollist i Shpresave.

Në prag të Sllovakisë, optimist u shfaq edhe portieri Alen Sherri, 20-vjeçari që mbron portën e Vllaznisë.

“Kombëtarja U21 është një grup i bashkuar, ka shumë lojtarë të mirë në përbërje. Për sa i përket ndeshjeve me Sllovakinë, jemi optimistë për të marrë rezultate pozitive, pasi kjo skuadër nuk ka asgjë më shumë sesa neve”, tha Alen Sherri, futbollist i Shpresave.

Kombëtarja shqiptare e U21-shit do të luajë ndeshjen e parë me Sllovakinë, më 23 mars, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërsa të dytën do ta luajë më 27 mars, në transfertën e Zilinës.

Top Channel