Ndalohet Sarkozy, hetime se fushatën e vitit 2007 ia sponsorizoi Gaddafi

20/03/2018 08:55

Nicolas Sarkozy u shoqërua në polici për t’u marrë në pyetje, në kuadrin e një hetimi mbi parregullsitë e dyshuara rreth financimeve të fushatës së tij të suksesshme presidenciale në vitin 2007.

Kjo është hera e parë që dëgjohet se çfarë ka për të thënë ish-presidenti francez në lidhje me këtë çështje, që prej nisjes së hetimit prillin e vitit 2013.

Ndalimi i tij mund të zgjasë edhe 48 orë. Autoritetet franceze janë duke verifikuar pretendimet se, Sarkozy ka marrë financime të paligjshme prej miliona eurosh nga regjimi i ish-diktatorit të vrarë, Muammar Gaddafi.

Një person pranë hetimit pohoi për “Associated Press” se, ish shefi i Elizesë është marrë në pyetje nga policia në Komisariatin e Nanterre, në Perëndim të Parisit. Që prej publimit nga faqja e internetit “Mediapart”, majin e 6 viteve më parë, të një dokumenti libian ku evidentoheshin financimet e Libisë së Gaddafit për fushatën e Sarkozysë, hetimi ka avancuar ndjeshëm duke i shtuar dyshimet që rrethojnë origjinën e një pjese të fondeve të përdorura asokohe nga politikani konservator.

Nëntorin e vitit 2016, në mesin e paraprakeve të Partisë Republikane, ndërmjetësi Ziad Takieddine doli me pretendimin se kishte transportuar 5 milionë euro “cash” nga Tripoli në Paris, në periudhën ndërmjet fundit të vitit 2006 dhe fillimit të 2007-s, të cilat ia ka dorëzuar më pas Claude Gueant dhe Nicolas Sarkozy, atëherë ministër i Brendshëm.

Rrëfimi i tij është konfirmuar edhe nga persona të ndaluar shtatorin e vitit 2012, nga Abdallah Senoussi, ish-kreu i shërbimeve sekrete ushtarake libiane. Dhe kjo nuk është e gjitha.

Librat e llogarive të ish-ministrit libian të Naftës, Choukri Ghanem, të vdekur po në vitin 2012 në rrethana të paqarta e të rikuperuara nga drejtësia franceze, përmendin gjithashtu derdhjen e një shume të konsiderueshme parash në emër të Nicolas Sarkozysë.

Një ish-ndihmës i Sarkozysë, Alexandre Djouhri u arrestua në Londër kohët e fundit, ndërsa po sot është marrë në pyetje edhe një ish-ministër, njëkohësisht aleat i ngushtë i Sarkozysë, Brice Hortefeux.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA