Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili tha se ky dikaster po përpiqet të investojë në shëndetësi, por theksoi se nuk mund të ketë reforma në këtë sektor, pa rritjen e pagave për personelin shëndetësor.
Këto komente, ministri Ismaili i bëri gjatë një vizite në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, në ditën e shëndetit oral. Ismali theksoi se reforma e duhur vendos pacientin në qendër të vëmendjes dhe mbështet profesionistët për ta kryer këtë shërbim.
“Reformë në shëndetësi nuk ka pa rritjen e pagave të personelit shëndetësor. Prandaj ne duhet të krijojmë një reformë ku ju të jeni epiqendra. Pra, pa u adresuar çështjet që i keni ju, nuk mund të adresohen çështjet e pacientëve. E dyta, natyrisht që shëndetësia ka mbetur e nënfinancuar në Kosovë, madje është dhe ka qenë prej një kohe të gjatë e nënfinancuar. Si e tillë ka krijuar një situatë ku gjithçka është jashtë standardit të vet, si në pajisje, investime kapitale, ashtu dhe në ndërtesa. Çdo gjë është jashtë normales ku duhej të ishte”, tha Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë.
Ministri Ismaili tha se ai është në shërbim të pacientëve dhe personelit shëndetësor, prandaj ata nuk duhet të ngurrojnë që të paraqesin tek ai çdo shqetësim.
Top Channel