Gjykata greke e Apelit ka refuzuar mesditën e së premtes kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e 8 ushtarakëve turq, që u arratisën pas grushtit të dështuar të shtetit nga Turqia në Greqi, me një helikopter dy vite më parë.
Kjo ishte kërkesa e tretë e ekstradimit, që gjykatat greke i kanë refuzuar palës turke, në një çështje që ka tensionuar në maksimum marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s.
Ankaraja i akuzon 8 ushtarakët për një rol të drejtpërdrejtë në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan, në vitin 2016.
Madje, disa orë më parë ka publikuar një video, ku disa prej tyre shfaqen me armë në duar, në një prej reparteve ushtarake mbrëmjen e 15 korrikut, ndaj dhe i ka quajtur tradhtarë dhe komplotistë.
Sipas vendimit të gjykatës greke, nëse Athina i ekstradon 8 ushtarakët ata rrezikohen të torturohen dhe nuk do të kenë gjykim të drejtë.
Vendimi pritet të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit të vazhdueshëm midis Athinës dhe Ankarasë, ndërkohë që Turqia ende nuk ka rikthyer dy ushtarakë grekë që janë arrestuar para disa ditësh në brendësi të kufirit midis dy vendeve, pasi kanë humbur rrugën.
Top Channel