SHBA, protesta masive nga të rinjtë kundër armëve të zjarrit

15/03/2018 12:31

Dhjetëra mijëra nxënës e mësues në Shtetet e Bashkuara protestuan kundër mosveprimit të Kongresit ndaj dhunës me armë zjarri, një muaj pas masakrës në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas” në Florida, ku mbetën të vrarë 17 vetë.

Nxënësit braktisën mësimin në orën 10 me atë lokale, për të marrë pjesë në protestën 17-minutëshe në homazh të viktimave të sulmit në Florida.

Sipas organizatorëve, në të gjithë vendin ishin planifikuar rreth 3.000 protesta të tilla. Shumë të rinj u mblodhën edhe përpara Shtëpisë së Bardhë e Kongresit amerikan, duke kërkuar masa më të forta për kontrollin e armëve.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i falënderoi protestuesit, që sollën sipas saj nevojën urgjente për veprim në dyert e “Capitol Hill”.

Protestat u zhvilluan ndërsa David Bowdich, zëvendësdrejtori në detyrë i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), tha në dëshminë para ligjvënësve në Uashington se FBI-ja kishte marrë një “informacion shumë të qartë 5 javë para sulmit në Florida, se autori i dyshuar Nikolas Cruz po planifikonte sulm, por për arsye ende të paqarta nuk ia kishte përcjellë informacionin policisë lokale”.

Ndërkohë në Kongres, ligjvënësit folën për një “dështim katastrofik në çdo nivel”, nga autoritetet e rendit për të parandaluar masakrën në Florida.

Top Channel