Demarkacioni është kryefjala e të gjitha aktiviteteve politike në Prishtinë. Pas disa dështimeve me radhë për të kaluar ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, ishte parashikuar që të tentohej sërish këtë javë.
Por, mungesa e disa deputetëve me arsyetimin se nuk ndodhen në Kosovë, por jashtë vendit e kanë shtyrë sërish seancën.
Pas kësaj, Kryeministri Ramush Haradinaj jep një tjetër afat. Duke folur për Radion Europa e Lirë, ai thotë se deputetët do të mblidhen të martë.
“Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha Haradinaj.
Që marrëveshja të kalojë duhen 80 vota në Kuvend. Koalicioni qeverisës, me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga opozita pretendon se i ka 78 – 79 vota. Shpresa është se deri të martën do të arrihet të sigurohet edhe mbështetja e një, apo dy deputetëve tjerë në mënyrë që të plotësohet numri i nevojshëm.
Top Channel