Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn, në lidhje me akuzat për vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë kohës së luftës.

Aktakuza kishte të bënte me vrasjen e dy civilëve; Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, të komunës së Malishevës.

Hoxha e Binishi u vranë më 2 tetor të vitit 1998, gjatë kohës së luftës, pasi – sipas Prokurorisë, – ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.

“Nuk provohen elementët e veprës penale dhe i pandehuri lirohet nga aktakuza”, tha gjykatësi i rastit.

Lajmin lidhur me vendimin e Gjykatës së Gjakovës e ka konfirmuar edhe avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj.

“Aktgjykimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është lirues në mungesë të provave”, tha Rrecaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limajt, nën dyshimet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Fatmir Limaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht është zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës dhe kryetar i partisë politike “Nisma”.

Fatmir Limaj është akuzuar edhe në të kaluarën për krime lufte, por në fund gjykata e kishte shpallur të pafajshëm dhe kishte vendosur ta lironte në mungesë të provave bindëse. Gjithashtu, Limaj është përballur me gjykim për krime lufte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku po ashtu është shpallur i pafajshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA