Presidenti amerikan Donald Trump firmosi urdhrat që vendosin tarifa të rënda mbi çelikun dhe aluminin e importuar, por disa vende janë Kursyer.

I shoqëruar gjatë firmosjes, nga punonjësit e këtyre industrive në SHBA, Trump tha se vendi ka vuajtur nga tregtia e pandershme dhe se vendimi i tij do të nxisë rritjen e industrisë amerikane.

“Masat që po marrim sot nuk janë zgjedhje e thjeshtë, por çështje nevoje për sigurinë tonë. Masat adresojnë një krizë në rritje në prodhimin tonë të aluminit dhe çelikut që kërcënon sigurinë e kombin, dëmton ekonominë tonë dhe vendet e punës”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan shtoi se ata që duan të shmangin tarifat e reja, mund t’i çojnë bizneset e tyre në SHBA ku nuk do të preken nga ndryshimet. Vendimi i Trump rrit tarifën me 25% për çelikun e huaj dhe 10% për aluminin e importuar.

Tarifat e reja hyjnë në fuqi pas 15 ditësh. Kanadaja dhe Meksika nuk preken nga masat e reja, dy vende që Trump i cilësoi aleatë shumë të afërt. Por tarifat e reja kanë zemëruar shumë vende të tjera, që kanë premtuar se do të reagojnë në të njëjtën mënyrë, madje duke folur për një luftë tregtare që mund të nisur nga Trump.

Ky i fundit e firmosi urdhrin edhe kundër vullnetit të partisë së tij republikane, zyrtarë të së cilës kishin shprehur rezerva për tarifat dhe pasojat që ato mund të kenë.

Top Channel