8 Marsi, ditë proteste

08/03/2018 15:17

Dita Ndërkombëtare e Gruas e ka mjaft komplekse historinë e saj.

Ajo është praktikisht një kremtim i lëvizjes për të drejtat e grave, fillesat e së cilës disa i gjejnë në vitin 1857, kur punonjëset e fabrikave protestuan në Nju Jork ndaj kushteve çnjerëzore të punës dhe rrogave të ulëta. Situatën e rënduar të tyre e ekspozoi më shumë tragjedia e vitit 1911, kur nga zjarri që ra në fabriken “Triangle Shirtëaist”, humbën jetën 123 gra e vajza.

19 marsin e po atij viti, lëvizja do të shënohej për të parën herë nga mbi një milion vetë në Austri, Danimarkë, Gjermani e Zvicër. Gratë kërkonin të drejtën e votës dhe të mbajtjes së një posti publik. Asokohe pati mjaft marshime, protesta e greva, por asnjë prej tyre nuk u zhvillua në 8 mars. Kjo datë do të shfaqet vetëm në vitin 1914 dhe, sipas gjasave, u caktua atë vit pasi qëllonte e dielë, ndërsa tre vjet më vonë, gratë ruse dolën nëpër rrugë të dielën e fundit të shkurtit, së cilës, në kalendarin gregorian, i korrespondonte data 8 mars, gjatë asaj që do të njihej si protesta e bukës dhe paqes.

Vetëm në vitin 1975, Kombet e Bashkuara do ta nisnin ta festonin përfundimisht Ditën e Gruas në këtë datë. Prej dekadash të tëra, kjo ditë vazhdon të kujtohet përmes protestave.

Në Kosovë, Rrjeti i Grupeve të Grave të vendit dhe shoqata të tjera mbështetëse, zgjodhën të protestojnë e mos të festojnë, me arsyetimin se nuk është arritur drejtësi gjinore dhe shoqërore. Siç e theksoi edhe Presidenti Hashim Thaçi, një prej sfidave më të medha të gruas në Kosovë mbetet trashëgimia e pronës.

Aktivistet e të drejtave të grave në Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Mal i Zi, Bullgari e Rumani e konceptuan këtë si një ditë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi diskriminimin, dhunën e trajtimin e padrejtë. Evente të ngjashme shenjuan 8 Marsin edhe në pjesën tjetër të Europës, ku spikati më shumë greva e paprecedentë e grave spanjolle me ndalimin e punës për 24 orë.

“Nëse ndalojmë ne, ndalon bota” është motoja e marshimeve të organizuara në qytetet e mëdha: Madrid, Barcelonë, Bilbao e Valencia. Me protesta u shënua kjo ditë edhe në disa pjesë të Amerikës, Filipine e Korenë e Jugut.

Top Channel