Pornostarja padit Trumpin: Marrëveshja për të mbyllur gojën nuk qëndron

07/03/2018 09:50

Aktorja e filmave për të rritur, e përfshirë në akuzat e një lidhjeje me Donald Trumpin, ka ngritur padi kundër presidentit amerikan me pretendimin se, kontrata e heshtjes që pati me të është e pavlefshme.

Stephanie Clifford, e njohur ndryshe si “Stormy Daniels”, këmbëngul se ujdia e arritur përpara zgjedhjeve të vitit 2016 nuk ka vlerë, sepse nuk mban firmën e Trumpit, por atë të avokatit të tij personal, Michael Cohen.

Ky i fundit konfirmoi muajin e kaluar se i ka paguar Cliffordit nga xhepi i tij 130 mijë dollarë.

Pala paditëse pretendon se Cohen është përpjekur ta frikësojë 38-vjeçaren, për ta detyruar të heshtë.

Në një intervistë dhënë revistës “InTouch” në vitin 2011, Stormy këmbëngulte se kishte nisur një marrëdhënie intime me Trumpin në vitin 2006, pak kohë pasi e shoqja e tij Melania kishte sjellë në jetë djalin e tyre Barron.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e mohon me forcë të ketë qenë i përfshirë në një marrëdhënie të tillë me yllin e filmave për të rritur.

“Wall Street Journal” njoftoi fillimisht në janar se Clifford ishte paguar tetorin e vitit 2016 në këmbim të mospublikimit të informacioneve mbi marrëdhënien e dyshuar me Trumpin.

Pas publikimit të raportit, grupi mbikëqyrës i qeverisë “Common Cause” e ankimoi çështjen pranë Komisionit Federal të Zgjedhjeve, duke kërkuar një hetim mbi burimin e pagesës. Ankesa pretendonte se, pagesa ishte një donacion për fushatën e Trumpit, që duhej të ishte përfshirë në raportet e tij zyrtare, të detyruara të publikohen.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel