Rrugën drejt shtëpisë, ku prej 16 vitesh jeton një familje e ngujuar, mësuesja e bën 3 herë në javë për të mësuar djalin e vogël. Atje jeton një nënë me 3 djemtë e saj. Bashkeshorti është në burg pasi ka vrarë fqinjin dhe dy familjet janë në gjak.
Mësuesja quhet Liljana Luani. Ajo është Misionare e Edukimit të Fëmijëve dhe në këtë 7 mars, veçanërisht e fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja shkon në fshatrat më të thella të Shkodrës, ku jeta i rrezikohet çdo dite.
Mësuesja e bën 3 herë në javë, për të mësuar djalin e vogël të shtëpisë.
“Kjo është një dashuri tjetër, kjo është një përfshirje emocionale e jashtëzakonshme, saqë është e pamundur tua kthesh shpinën”, shprehet Liljana.
Puna e saj si mësuese nisi në vitin 1981.10 vitet e para punoi dhe jetoi maleve, nga Malësia e Madhe në atë të Dukagjinit, ku u njoh me shokun e jetës dhe ku u bë nëna e dy djemve. Ashtu e buzëqeshur dhe plot humor flet pak për veten, por tregon shumë për arkivën e saj, histori rrëqethëse, që duken të gjalla edhe sot, pas shumë vitesh.
“Një herë më ra telefoni dhe një fëmijë i vogël më tha: mësuese dua bukë. Ishte shumë ftohtë dhe shumë shi dhe duhet të kaloja mbi liqenin e Vaut të Dejës me varkë. Bleva disa ushqime, një thes me miell dhe u nisa drejt Rragamit. Liqeni kishte lëshuar aq shumë dallgë saqë kisha frikë. Djali më kishte dalë përpara, nuk m’u hodh në qaf. I thashë: po hajde , a spo më del para? Jam mërzit shumë, tha dhe filloi të qante. Ça ke i thash? Më kanë shitur gomarin – tha. Edhe unë i thash: Hajt he burrë se do të ketë kenë plak! Ai shtriu duart me nerva dhe tha: jo, ai ka kenë sa unë. Ai nuk kishte as televizor, asnjë lodër, as nënë as babë, veç gomarin dhe gjyshen. Qau ai, qava dhe unë”, kujton mësuesja.
Në Ministrinë e Arsimit, të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin shkollor 2017-2018 nuk është paraqitur asnjë rast i fëmijëve të ngujuar për t’u ofruar mësim në mjedis mësimor. Por, mësuesja e të ngujuarve tregon realitetin.
“Ka fëmijë me problematikë gjakmarrjen duke filluar Kukësi, Dibra, Shkodra Lezha, tani jam në Durrës, në Tropojë. Në zonën e Krujës kam gjet fëmijë që janë krejtësisht të ngujuar”, thotë Liljana.
“Unë jam në fund të karrierës në fund dhe do mendoja që e kam përmbyll misionin tim si mësuese kur të mos kishte më fëmijë të ngujuar dhe unë të quhesha mësuese Liljana, jo mësuesja e fëmijëve të ngujuar”, shton ajo.
Top Channel