Këshilltari kryesor i Donald Trumpit për Ekonominë, Gary Cohn ka vendosur të japë dorëheqjen, i zemëruar – sipas raporteve në shtypin amerikan, – nga planet e shefit të Shtëpisë së Bardhë për rritjen e tarifave të importit të çelikut dhe aluminimit.
“Ishte një nder për mua t’i shërbeja vendit tim”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Cohn.
Ish-presidenti i Bankës “Goldman Sachs” është njeriu që e ndihmoi Trumpin të vinte në jetë reformat e tij tatimore vitin e kaluar, por gushtin e vitit 2017 e pati dhënë sinjalin e parë të mospajtimit me çdo gjë që bën presidenti, kur e kritikoi reagimin e tij mbi incidentin gjatë tubimit të ekstremit të djathtë në Charlottesville, Virginia.
“Administrata – pati thënë asokohe, – mund dhe duhet të bëjë më shumë sesa kaq”. Ai e kishte përgatitur dhe në atë rast një letër dorëheqjeje, por duket se më vonë kishte ndërruar mendje.
Gary Cohn ishte deri diku një i huaj në tokën e çudirave. 57-vjeçari ishte një demokrat në një Shtëpi të Bardhë republikane, e një ekonomist me bindje globaliste që punonte për një president të fokusuar te nacionalizmi ekonomik, politikat proteksioniste të të cilit e detyruan në fund të kërkonte derën e daljes.
Një zhvillim i tillë, megjithatë duket nuk ka qenë fare i papritur. Sipas raporteve të ndryshme, ka pasur një luftë të fortë brenda Shtëpisë së Bardhë për vendosjen e tarifave të reja të importit të metaleve, të cilës Trumpi ia dha vet drejtimin nxitimthi javën e kaluar.
Top Channel