“Coca Cola” eksperimenton në Japoni me pije alkoolike

07/03/2018 18:17

“Coca Cola” po planifikon të prodhojë një pije alkoolike, për të parën herë në historinë 125-vjeçare të kompanisë, me një produkt të tipit “alcopop” në Japoni.

Ajo synon të rrisë fitimet në vend, si pasojë e shijes që po zgjerohet gjithnjë e më shumë për “Chu-Hi”, një pije e gazuar me shije, e kombinuar me një pije alkoolike lokale të quajtur “shochu”. Produkti ka zakonisht 3 deri në 8 për qind alkool.

Një drejtues i “Coca Colës” në Japoni tha se lëvizja ishte një eksperiment modest, për një treg specifik të kompanisë.

“Nuk kishim eksperimentuar më parë në kategorinë e pijeve alkoolike, por ky është një shembull sesi ne vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë e shumta”, tha Jorge Garduno, president i “Coca Cola” në Japoni. Sipas tij, ka pak gjasa që pija të shitet jashtë Japonisë.

“Chu-Hi” është hedhur në treg si një alternativë ndaj birrës dhe ka rezultuar veçanërisht e pëlqyer nga femrat.

Kompani të mëdha japoneze të pijeve kanë të gjitha varietete të saj dhe vazhdojnë të eksperimentojnë me shijet. Shijet më popullore janë ato të qitros apo limonit, por pija mund të bëhet edhe me shije të tjera si rrush, mollë apo pjeshkë.

Ndërsa konsumatorët e rinj bëhen gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj shëndetit, “Coca Cola” është përpjekur të shkasë nga pijet me gaz, deri tek uji apo çaji. Nëntorin e shkuar pati disa spekulime se “Coca Cola” do të kalonte tek alkooli.

Fjala “alcopop” i referohet zakonisht pijeve të ëmbla, por alkoolike, që në vitet ’90 u bënë shumë popullore pavarësisht kritikave, sipas të cilave ato inkurajonin të rinjtë për të konsumuar alkool në sasi të mëdha.

Top Channel