Kjo është java e duhur dhe afati i fundit që në Parlamentin e Kosovës të kalojë marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie përcolli apelin e tij përmes rrjeteve sociale.
“Partitë politike kanë punuar të palodhura për të arritur deri këtu. Ratifikimi i marrëveshjes është më pranë se kurrë. Deputetë, le ta përfundojmë këtë marrëveshje brenda kësaj jave!”, shkruan ai në Twitter.
Thirrja e ambasadorit amerikan u është drejtuar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është shtyrë disa herë për mungesë kuorumi dhe dakordësie mes forcave politike.
Në seancën e fundit të jashtëzakonshme të Kuvendit, u raportua se ishte arritur konsensusi mes partive shqiptare në pushtet dhe LDK-së në opozitë.
Megjithatë, as kjo nuk u duk e mjaftueshme për arritjen e 80 votave të nevojshme, që ujdia të merrte “dritën jeshile” të Kuvendit. Që të sigurohet numri i nevojshëm duhen të paktën edhe dy vota. Ato po kërkohen brenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ose Listës Serbe. Kjo e fundit është pjesë e koalicionit qeverisës, por që deri tani e ka kundërshtuar Demarkacionin.
Vetëvendosja, pavarësisht përçarjeve, ka paralajmëruar një votë kundër, ndërsa “Lista Serbe” thotë se çdo gjë do të varet nga takimet në kuadër të dialogut të Brukselit, ku temë diskutimi ka qenë edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është kushti që Kosova duhet të përmbushë në mënyrë që qytetarët e saj të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën “Schengen”. Vetëvendosja është kundër paktit, sepse mendon që përmes tij vendi po humbet territor.
Top Channel