Edhe pse në krye, trajneri i Napolit dorëzohet për titullin

04/03/2018 11:54

Me Juventusin që e ndjek vetëm një pikë më pak, por ka ende një ndeshje për të luajtur, situata për Napolin kryesues ka nisur të komplikohet.

Disfata e kësaj të shtune kundër Romës e ndali në 10 ndeshje serinë e fitoreve radhazi të skuadrës jugore, që tani ndjen pas krahëve dihatjen e kampionëve në fuqi të Serisë A.

“Lufta për titullin tani i përket vetëm Juventusit. Ne kemi kërkuar t’ia vështirësojmë sezonin rivalëve dhe do të provojmë ta bëjmë deri në fund, por Juvja është nga një tjetër planet. Nga të gjithë këndvështrimet më duket disi e zbehtë të mendojmë për titullin. Pashë shumë aspekte pozitive ndaj Romës, pasi bëmë 26 goditje, nga të cilat gjysma në portë. Mbetet për t’u analizuar pse Roma na shënoi me kaq lehtësi”, tha Sarri pas ndeshjes.

Goli i Dibalës në kohën shtesë, që i dha fitoren Juventusit ndaj Lacios, e ndryshoi fytyrën e renditjes pak para se Napoli të zbriste në fushë, duke sjellë presion te skuadra jugore. Por, trajneri kërkoi të mos i jepte alibi lojtarëve.

“Episodet na kushtëzuan dhe gabuam në disa zgjedhje në metrat e fundit të aksioneve. Duhet gjithsesi të qëndrojmë të qetë. Erdhi një humbje, por ishte kënaqësi që të shikoje tifozët që ishin në anën tonë dhe na duartrokitën edhe pas humbjes”, tha trajneri i Napolit.

Top Channel