Europa në darën e acarit; mbi 50 të vdekur e kaos në transport

02/03/2018 09:44

Pjesë të tëra të Europës kaluan një tjetër natë në kushte acari, ndërsa sistemi i të ftohtit siberian vazhdon të mbjellë kaos në “Kontinentin e Vjetër”.

Stuhitë e dëborës dhe reshjet e dendura të saj kanë mbyllur rrugë, rrjete hekurudhore e shkolla, e kanë detyruar anulimin e qindra fluturimeve. I ftohti i pazakontë për këtë pjesë të vitit është shtyrë deri në jug duke prekur dhe Mesdheun.

Bilanci i vdekjeve në Europë ka mbërritur tanimë në 55; 21 prej viktimave u shënuan në Poloni, pjesa dërrmuese persona të pastrehë. Situata e krijuar e shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë të dalë me paralajmërimin se të varfërit, të pastrehët dhe emigrantët janë personat më të rrezikuar nga ngricat.

Në deklaratën e saj thuhet gjithashtu se kujdes duhet treguar dhe për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Dëbora dhe erërat e forta detyruan mbylljen e Aeroportit të Gjenevës të enjten, por ai u rihap sërish pas pastrimit të pistës.

Në Francë, rreth 2000 drejtues automjetesh mbeten të bllokuar në një rrugë pranë Montpellier, ku disa thonë se kanë mbetur aty pa lëvizur dot për gati 24 orë.

Aeroporti i Schiphol në Amsterdam u prek edhe ai nga stuhia duke anuluar, apo shtyrë me dhjetëra fluturime. Probleme patën edhe shërbimet e Eurostarit ndërmjet Londrës, Parisit e Brukselit.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel